Shkolla e Magjistraturës, më datë 16 dhjetor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: " Roli i Kancelarit të Gjykatës në rritjen e treguesve të performancës së administratës gjyqësore dhe zgjerimin e aksesit në gjykatë ", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Naureda Llagami dhe Vangjel Kosta
Lehtësuese: Besjana Garxenaj
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte forcimi i kapaciteteve profesionale të kancelarëve të gjykatave, në funksion të përmirësimit të performancës së administratës gjyqësore dhe rritjes së transparencës e aksesit të publikut në shërbimet gjyqësore. Në fokus të trajnimit ishin mekanizmat kryesorë që kontribuojnë në matjen dhe përmirësimin e treguesve të performancës, ndjekjen e tyre në afate kohore të përshtatshme, si dhe rëndësia e vlerësimit të vazhdueshëm të zgjerimit të aksesit në gjykatë.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- roli i Kancelarit në zgjerimin e aksesit të qytetarëve në gjykatë;
- rëndësia e ndërtimit të një marrëdhënieje korrekte dhe transparente me median si mjet për rritjen e aksesit dhe besimit të publikut;
- kontributi i Kancelarit në rritjen e performancës së administratës gjyqësore;
- rëndësia dhe mekanizmat e matjes së treguesve të performancës.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë kancelarë nga gjykata të ndryshme të Republikës së Shqipërisë, të cilët kontribuan aktivisht në diskutime, duke ndarë praktika të mira dhe sfida të hasura në ushtrimin e funksioneve të tyre.




Shkolla e Magjistraturës